Të nderuar kolegë, miq dhe dashamirës të historisë, që asistoni në promovimin e librit Refugjatë grekë në Shqipëri (1945-1991) të autorit Stavros Dagios.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju disa mendime dhe opinione si historian i kësaj periudhe, i familjarizuar me periudhën që trajtohet, por jo edhe aq me temën e këtij libri, të cilin unë do ta konsideroja pa mëdyshje unikale. Detyrimi im për të qenë në këtë ngjarje është e dyfishtë, jo vetëm si koleg, por edhe si shok i hershëm i Stavros në konviktin e shkollës së mesme në Gjirokastër dhe i Studimeve Universitare në Tiranë.

Nuk kam asnjë mëdyshje të them se, libri për refugjatët grekë në Shqipëri shënon një arritje në karrierën e autorit, jo thjesht për temën tejet interesante të zgjedhur prej tij, por sidomos për mënyrën se si është shkruar, për maturinë dhe profesionalizmin e treguar. Dr. Stavros Dajos njihet në komunitetin e emigrantëve shqiptarë në Selanik, por edhe në Shqipëri, si pjesëmarrës dhe mbështetës i veprimtarive të ndryshme, sidomos atyre letrare e artistike. Por ai njihet edhe nga publiku shqiptar për përkthimin e disa kryeveprave të letërsisë greke, ku spikat shqipja e tij e pastër, e pasur dhe korrekte.

Autori ka treguar jo vetëm me këtë libër, por edhe me botimet e mëparshme se është njohës i mirë i periudhës që trajton, se ka kulturën e duhur për t’u marrë me tema të tilla, por edhe dimensionin human e prirjen për të shkruar me objektivitet. Autori i njeh mirë realitetet e të dy vendeve, të Shqipërisë dhe të Greqisë, dhe është përpjekur që eksperiencën e tij ta vë në shërbim të studimit.  Historia është shkencë relative e cila merret me të shkuarën, dhe shkrimi i saj nuk është detyrë e lehtë, sidomos kur trajtohen tema të tilla të nxehta që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shqiptaro-greke. Por, dua të theksoj, se mirëshkrimi i saj është sa detyrim profesional, aq edhe human, sepse historia u shërben të gjallëve. Ajo mund të ushqejë ndjenjat nacionaliste, por mund t’i shërbejë edhe hedhjes së urave të komunikimit ndërmjet të dy popujve, sigurisht pa cenuar të vërtetën historike. Për fat të mirë në kohën që jetojmë nuk na mungojnë modelet pozitive.

Rrallë ndesh historian shqiptar apo grek të ketë shfrytëzuar kaq gjerësisht burimet arkivore dhe literaturën historike të  dy vendeve. Sigurisht, kjo është në radhë të parë meritë e autorit, i cili është njohës shumë i mirë i të dy gjuhëve, por edhe i mundësive që janë krijuar sot me hapjen e arkivave të periudhës së Luftës së Ftohtë. Unë mund të them pa mëdyshje se arkivat shqiptare sot janë të hapura, duke përfshirë edhe ato që konsiderohen si delikate apo shumë delikate, siç janë Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me fonde të tilla, si ai i Sigurimit të Shtetit, apo Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Por autori i këtij libri ka shfrytëzuar edhe burimet dokumentare e bibliografike të të Mëdhenjve, qofshin ato amerikane, britanike e ruse. Ne historianët e dimë mirë se çfarë vlere kanë arkivat për hartimin e librave të kësaj natyre, ku e vërteta “ka fjetur” brenda tyre për një kohë të gjatë, pavarësisht kujtimeve të atyre që e kanë jetuar atë kohë, të cilat nuk mungojnë në këtë libër. Një pjesë e rëndësishme e “mençurisë” sonë si historianë rrjedh nga mençuria e atyre që  kanë shkruar para nesh. Me të drejtë, historiani i njohur amerikan i Luftës së Ftohtë, John Lewis Gaddis, ka shkruar se “çdo historian qëndron mbi supet e një historiani tjetër”.

Libri është strukturuar mirë, duke kombinuar kronologjinë me tematikën. Ai ka një shtrirje që përfshin gjithë periudhën dhe përkon pothuajse me atë të Luftës së Ftohtë. Në pjesën e parë trajtohen marrëdhëniet e Partisë Komuniste Greke me Partinë Komuniste dhe më pas Partinë e Punës së Shqipërisë, momentet e mira e të këqija që ato kaluan dhe pasojat e tyre mbi refugjatët grekë që mbërritën në Shqipëri. Autori ka shpjeguar arsyet e largimit të refugjatëve demokratë grek, siç i quanin në atë kohë nga Shqipëria, për shkak të rreziqeve që i kanoseshin tërësisë territoriale të saj.  Marrëdhëniet ndërmjet dy Partive Komuniste nuk janë parë si qëllim në vetvete, por në funksion të temës që ai trajton. Arkivat shqiptare kanë shumë dokumente për këtë çështje interesante, mosmarrëveshjet e së cilës me Partinë Komuniste Greke i janë transmetuar edhe Stalinit. Ndoshta në të ardhmen trajtimi i kësaj tematike meriton një libër të posaçëm.

Kapitujt pasardhës u kushtohen refugjatëve grekë që mbetën në Shqipëri, jetës së tyre në kampe, sjelljes së autoriteteve shqiptare, përpjekjeve për të rekrutuar një pjesë të tyre dhe pasojat e rënda të atyre që nuk pranuan. Autori jo vetëm ka treguar, por edhe ka analizuar pasojat e politikës mbi këtë kontingjent, duke vënë në dukje jetën e tyre të vështirë, ndjekjet, survejimet e rekrutimin e tyre  nga Sigurimi i Shtetit, por edhe nga shërbimi i fshehtë grek e jugosllav. Duhet të përmend se ashtu siç ndodhi me “demokratët grekë”, ndodhi edhe me emigrantët politikë jugosllavë që erdhën në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve dypalëshe. Pasojat e sjelljes së autoriteteve shqiptare ranë jo rrallë mbi të dyja palët, si mbi refugjatët grekë që u sollën në Shqipëri nga ushtria demokratike greke, të quajtur ‘monarkofashistë’, por jo rrallë edhe mbi kundërshtarët e tyre “demokratë”, që nuk i bindeshin autoriteteve shqiptare. Fatet e ish kundërshtarëve politikë në disa raste u kryqëzuan në realitetin shqiptar. Marrëdhëniet e këqija ndërmjet të dy vendeve u reflektuan edhe mbi refugjatët grekë në Shqipëri. Por, përkundër sjelljes së autoriteteve zyrtare, autori nënvizon sjelljen ndryshe të njerëzve të thjeshtë dhe humanizmin e tyre për të ndarë bukën e gojës. Libri ka një mpleksje natyrale të jetës së vështirë të refugjatëve, të presioneve e masave shtrënguese ndaj tyre për t’i rekrutuar, përpjekjeve të dëshpëruara për arratisje, vuajtjeve fizike e psikike, e deri tek mungesa e ushqimit.

Ndryshimeve që ndodhën në BS pas vdekjes së Stalinit dhe “detanta e vogël” u  reflektuan edhe në marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilat sollën një farë zbutje të tyre. Gjatë kësaj periudhe ndodhi shumica e riatdhesimeve të refugjatëve grekë nga Shqipëria. Por riatdhesimi i atyre nuk eci njësoj. U riatdhesuan kryesisht “robërit e luftës” të sjellë në Shqipëri nga UDG dhe kategoria e blegtorëve, kurse kategoria e parë që i përkiste “demokratëve grekë”, duket se u refuzua nga shteti grek, për shkaqe që rridhnin nga konflikti civil i viteve 1945-1949, pasojat e të cilit duket se nuk ishin kapërcyer.

Autori ka dëshmuar se është njohës i mirë i rrethanave ndërkombëtare dhe i politikës së të Mëdhenjve në Ballkan. Mosmarrëveshjet greko-shqiptare u zhvilluan brenda këtij konfiguracioni. Shqipëria dhe Greqia ishin lojtarë të vegjël në lojën e madhe të Luftës së Ftohtë. Sherret ndërmjet të dy vendeve u zhvilluan brenda këtij kuadri, i cili meriton të njihet dhe të studiohet më mirë nga historianët. Ndikimi i të Mëdhenjve në marrëdhëniet greko-shqiptare ishte herë nxitës e herë frenues.

Libri mbi refugjatët grek në Shqipëri i kolegut dhe mikut tim Stavros Dajos, botim i shtëpisë botuese “Literatus”, shpresoj dhe besoj se do të jetë i mirëpritur nga lexuesi. Kjo për shkak të temës unikale, gjuhës së rrjedhshme e të qartë, si dhe formatit akademik të tij. Unë mendoj se ai do t’u shërbejë jo vetëm rretheve akademike e universitare, por mbi të gjitha lexuesve të zakonshëm, të pasionuar pas historisë.

Me besimin se Stavris ka shkruar një libër tejet interesant dhe me profesionalizëm, i uroj atij suksese të mëtejshme.

Fjala në prezantimin e librit, Selanik 21.02.2018.

 

Leave a Reply

Skip to toolbar